--------------------------------------------------------------------------------
Reperi i njohur amerikan, 50 Cent, ka performuar mbrëmjen e së hënës për afro 90 minuta, para rreth 25 mijë adhuruesve kosovarë në Prishtinë,
në njërin prej koncerteve më të mëdha të mbajtura ndonjëherë në Kosovë. Në një atmosferë elektrizuese, as edhe i ftohti nuk i ka ndaluar të rinjtë kosovarë të përcjellin këtë ngjarje të rrallë, të organizuar nga operatori i ri celular Ipko.
Dyert e stadiumit të Prishtinës, ku u zhvillua koncerti, janë hapur që në ora 18:00, derisa shou ka filluar një orë më pas, ku në skenë janë paraqitur disa nga bendet dhe këngëtarët e njohur të këtij zhanri në Kosovë si, Dj Blunt, NR, Nora Istrefi, Tingulli 3 dhe Genta. 50 Cent doli në skenë rreth orës 21 dhe, së bashku me disa prej reperëve që e shoqërojnë atë në çdo koncert, përfshirë Lloyd Banks dhe Tony Yayo, argëtoi publikun për afro një orë e gjysmë. Mes tjerave, ai këndoi edhe hitet “Candy Shop”, “P.I.M.P.” dhe “In Da Club”.
Me një sigurim të rreptë, koncerti kaloi pa ndonjë problem, duke mirëpritur amerikanin. 50 Cent bëhet kështu artisti me profilin më të pasur që ka kënduar ndonjëherë në vendin tonë. Shumica dyshonin se ai ndoshta nuk do të udhëtonte këtu për shkak të përshtypjeve se në Kosovë mbizotëron dhuna, por ylli i njohur është përgjigjur për gazetarët me fjalët: “Kurrë nuk kam munguar në asnjë shou në karrierën time”.
“Nuk do të kem shansin ta shoh botën, si të gjithë të tjerët, nëse nuk shkoj çdo kund. Unë e shoh muzikën time duke thyer barrierat e gjuhëve”, ka thënë, mes tjerash, 50 Cent, emri i vërtetë i të cilit është Curtis Jackson.
50 Cent, i cili është rritur në New York dhe është qëlluar me armë zjarri nëntë herë, ka shtuar: “E di saktësisht çfarë ndodh kur përdoren armët. Ndoshta kjo është ajo me të cilën ata më mbajnë mend”.
"Unë jam nga Queens, (New York)", ka thënë 50 Cent pas mbarimit të koncertit. "Andaj, për mua, të vij këtu dhe të shoh që 25 mijë tiketa janë shitur brenda tetë orëve, është e mahnitshme. Unë jam mbase më shumë i emocionuar se sa gjysma e adhuruesve”.
Një adhuruese e pranishme në koncert ka thënë, mes tjerash, “shpresoj se do të kemi më shumë mundësi të kemi njerëz të tillë që do të mbajnë koncerte në Kosovë”.